Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend – Katër të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend – Katër të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Në Gjykatën Themelore të Prishtinë, ka filluar seanca gjyqësore ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve, Besa Baftiu e Donika Kadaj-Bujupi, njofton Insajderi.

Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë kërkuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Seanca e radhës do të mbahet me 18 maj në ora 13:15.

Ata janë duke u gjykuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.

Në aktakuzën e ngritur më 8 prill 2016 thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

E gjithë kjo ka të bëjë me kohën kur partitë opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate kundërshtonin Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./Insajderi.com