Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk e ka zyrtarizuar ende asnjë emër për të kandiduar në Komunën e Shkupit. Siç raportojnë mediat në Maqedoni, BDI e Ali Ahmetit mund ta përcaktojë një kandidat të përbashkët me LSDM-në e kryeministrit Zoran Zaev, në kryeqytet.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale në Shkup tregojnë se në kryeqytet LSDM mori rreth 129 mijë vota, ndërsa VMRO rreth 10 mijë më pak ose 119 mijë. LSDM ka më shumë vota se VMRO në Shkup edhe nëse përjashtohen komunat me shumicë popullate shqiptare, Çairi dhe Saraji.
Por, në të njëjtën kohë Besa, BDI-ja, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja në kryeqytet morën mbi 46 mijë vota.
Kjo do të thotë se rezultati përfundimtar shumë do të varet nga vendimi i shqiptarëve. Do të varet nga vota e shqiptarëve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në balotazh.
Siç raportoi sot Express, Zaev i ka bërë kërkesë Ahmetit që të kandidojnë një kandidat të përbashkët në Shkup, me qëllim për të përdorur modelin zgjedhor në Maqedoni dhe të fitojë një kryetar komune që në raundin e parë.
Nëse marrëveshja arrihet, kjo do të jetë hera e parë në historinë e Maqedonisë që partia më e madhe shqiptare nuk ka kandidat për kryetar komune, edhe pse më shumë se 20% e shqiptarëve jetojnë në Shkup.
Duke anashkaluar Shkupin, në shumicën e komunave të tjera me shumicë shqiptare në Maqedoni janë zyrtarizuar emrat që do të kandidojnë nëpër komuna.
Së fundmi Lëvizja Besa ka publikuar emrin e kreut të saj Bilall Kasamin si kandidat në komunën e Tetovës ndërkaq Aleanca në Tetovë do të dalë me Adnan Nezirin.
Në garën për të parin e komunës së Tetovës, BDI-ja do të ketë kryetaren e deritanishme të këtij institucioni, Teuta Arifin, ndërkaq PDSH-ja e Menduh Thaçit në Tetovë do të garojë me Bardhyl Dautin. Pos partive shqiptare, VMRO-ja do të garojë në Tetovë me kandidatin e saj Goran Manajllovski.
Kandidatë për Tetovën nga BDI do të jetë Teuta Arifi, nga Lëvizja BESA Bilall Kasami, nga Aleanca për Shqiptarët Adnan Neziri, ndërsa nga PDSH Bardhyl Dauti.
Në komunën e Çairit BDI ka kandiduar Visar Ganiun, Lëvizja Besa Zeqirja Ibrahimin, ndërsa Aleanca Faruk Avdiun.
Përveç Teotvës dhe Çairit, janë zyrtarizuar emrat e kandidatëve të katër partive edhe në Komunën e Gostivarit. VMRO-DPME e ka kandiduar Dafina Stojanovskan, BDI-ja Nevzat Bejtën, ndërsa Lëvizja Besa Asaf Ademin.
Në Haraçinë, BDI do të synojë triumfin me Isug Bislimin, ndërsa Lëvizja Besa me Ali Ismailin, e Aleanca për Shqiptarët me Isen Ramadanin. Nga partitë maqedonase, është zyrtarizuar emri i Melekije Alimit nga LSDM. /Insajderi.com