Shkruan: Agron Halitaj
Juristi Dastid Pallaska e ka cilësuar këtë hap të Haradinajt si të panevojshëm, të pavend dhe të palejuar. Të palejuar e ka konsideruar për faktin se Gjykata Kushtetuese në tre vendimet e fundit në lidhje me “pyetjet kushtetuese” të Presidentit (Rastet KO Nr. 79/18, KO Nr. 131/18 dhe KO Nr. 181/18) ka konstatuar, se nuk përgjigjet në “pyetje kushtetuese” dhe se kërkesat me pyetje të tilla do t’i hedhë poshtë si të palejuara. Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka deklaruar në televizionin publik se kushdo që e ka këshilluar Haradinajn të veprojë kështu, ka gabuar. “Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar në dy-tre vendimet e fundit, as Qeveria e as presidenti, s’ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. I drejtohet kot, sepse kërkesa nuk besoj që pranohet”, ka deklaruar Hasani. E gjithë kjo situatë është krijuar për shkakun se dispozitat e Kushtetutës së Kosovës në lidhje me qëndrimin e Kryeministrit në detyrë, pas dorëheqjes, qëndrojnë të heshtura. Kushtetuta e Kosovës vetëm e parasheh se pas dorëheqjes së Kryeministrit, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë. Kushtetutat e shteteve të tjera përreth Kosovës dhe në rajon e kanë të rregulluar më qartë mënyrën se si duhet vepruar pas dorëheqjes së kryeministrit. Me Kushtetutën e Shqipërisë, “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”. Fryma e njëjtë është e shprehur edhe më Kushtetutën e Malit e Zi. “Qeverisë i pushon mandati: me skadimin e mandatit të Kuvendit, me shpërndarjen apo me shkurtimin e mandatit të Kuvendit; me paraqitjen e dorëheqjes, kur e humbë votëbesimin dhe nëse nuk e propozon buxhetin deri më 31 mars të vitit buxhetor. Qeveria të cilës i ka pushuar mandati vazhdon punën deri në zgjedhjen e Qeverisë në përbërje të re”, thuhet në Kushtetutën malazeze. Se qeveria e dorëhequr duhet të vazhdoj punën deri në zgjedhjen e qeverisë së re është e përcaktuar edhe me kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. “Dorëheqja e Kryetarit të Qeverisë, vdekja ose pamundësia e përhershme e tij që ta ushtrojë funksionin, rezulton me dorëheqjen e Qeverisë. Qeverisë i pushon mandati kur shpërndahet Kuvendi. Qeveria, së cilës i është votuar mosbesimi, e cila ka dhënë dorëheqje ose së cilës i pushon mandati për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet në Kushtetutën e këtij shteti fqinj. Në Kroaci është pak më ndryshe. Atje, kryeministri obligohet që dorëheqjen ta paraqes para parlamentit. Kur dorëheqja e kryeministrit aprovohet, atëherë konsiderohet se të gjithë anëtarët e Qeverisë kanë dhënë dorëheqjen. Por edhe Kushtetuta kroate e obligon Qeverinë e dorëhequr të vazhdoj punën deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Nëse sadopak merren për bazë praktikat e shteteve përreth, atëherë edhe në Kosovë, Qeveria e dorëhequr duhet të vazhdoi punën deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, por më tepër në cilësinë e një qeverie kujdestare, e jo vendimmarrëse. Me dorëheqjen e Qeverisë, përfundon edhe programi qeverisës dhe vendi konsiderohet se ka hyrë në krizë institucionale. Kjo ia imponon presidentit të shtetit që t’i ndërmarrë veprimet e përcaktuara me Kushtetutë, për tejkalimin e situatës Kreu i shtetit është i obliguar që t’i thërras partnerët e koalicionit qeverisës që të deklarohen nëse duan të nxjerrin një kandidat të ri për kryeministër. Nëse jo, atëherë i takon Kuvendit, që me iniciativë të deputetëve, të thërras seancë të jashtëzakonshme për (vet) shpërbërje. Me shpërbërjen e Kuvendit, presidenti, duhet t’i thërras në konsultime liderët e partive dhe të caktoj datën e zgjedhjeve të parakohshme, e cila nuk guxon të jetë më e largët se 45 ditë nga shpërbërja e Kuvendit. Presidenti ka paralajmëruar se këtë javë do të nis konsultimet me partitë politike, por nuk e ka qartësuar nëse kjo vlen vetëm për partitë e koalicionit qeverisës apo për gjithë të tjerat. Si garantues i funksionimit të institucioneve shtetërore, presidenti Hashim Thaçi, tashmë është vonuar në të vepruar. Njohësit e çështjeve politike e kritikojnë se zvarritjen po e bën qëllimshëm.