fbpx

Hetimi që nisi në Kosovë dhe u shndërrua “skandali i mishit” në Belgjikë

Ky aksion i AUV-it në shtatorin e 2016-s do të shënonte nisjen e hetimeve ndaj kompanisë "Veviba" - me bazë në Bastonjë të Belgjikës - nga autoritetet belge. Dy vite kishin zgjatur hetimet e Agjencisë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC) ndaj kompanisë së dyshimtë belge.

Hetimi që nisi në Kosovë dhe u shndërrua “skandali i mishit” në Belgjikë

Gjithçka kishte nisur në shtatorin e vitit 2016, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dyshonte në cilësinë e 20 tonëve mish që ishin nisur nga Belgjika për në Kosovë. AUV kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC).

Agjencia belge kishte dërguar një inspektor në Kosovë për të kontrolluar dhe verifikuar cilësinë e mishit që kompania “Veviba” kishte tentuar të eksportonte në Kosovë, raporton Insajderi.

E gjithë sasia e mishit, prej 20 tonëve, ishte konstatuar të ketë qenë e prishur.

“I kemi njoftuar ne [AUV, v.j] në bazë të procedurës së rregullt, ndërkaq ata e kanë dërguar inspektorin e tyre dhe pasi i kanë kryer verifikimet ne i kemi asgjësuar”, ka thënë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Ky aksion i AUV-it në shtatorin e 2016-s do të shënonte nisjen e hetimeve ndaj kompanisë “Veviba” – me bazë në Bastonjë të Belgjikës – nga autoritetet belge. Dy vite kishin zgjatur hetimet e Agjencisë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC) ndaj kompanisë “Veviba”

Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë sot për Insajderin se në bazë të aksionit të AUV-it kishin nisur hetimet ndaj kompanisë së dyshimtë belge.

“Në bazë të atij rasti që ne e kemi zënë, ata kanë filluar hulumtimet dhe e kanë ndjekur kompaninë për dy vjet dhe tash i kanë bërë publike”, thotë Thaçi, teksa shprehet se nga kompania “Veviba” nuk është importuar më mish në Kosovë, që prej shtatorit të 2016-s.

AUV thotë se shkaku i procedurave e rregullave nuk ka hyrë më mish nga kompania belge në territorin e Kosovës.

“Nuk ka pas më import nga e njëjta kompani më në Kosovë. Prej asaj kompanie [Veviba, v.j] më nuk ka ardhur sepse janë disa procedura dhe disa rregulla për kontrollet ushqimore”, deklaroi Thaçi për Insajderin.

Dy vjet pas njoftimit të autoriteteve belge nga AUV lidhur me mishin e prishur që ishte asgjësuar në Kosovë, autoritetet belge kanë bërë të ditur dje se kanë kontrolluar 200 nga 2000 paleta me mish të kompanisë “Veviba”.

Shpërthen skandali i mishit të prishur në Belgjikë – kompania ka eksportuar edhe në Kosovë

Nga këto 200 paleta me mish, përfundimi ka dalur të jetë se rreth 70 për qind e mishit të kontrolluar është i dëmshëm.

Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë ka njoftuar se ka kontrolluar të gjitha lokalet e kësaj kompanie në Beligjkë.

Hetuesit kanë gjetur se në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyer datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë, raporton gazeta Le Soir, shkruan Insajderi.


Kompania “Veviba” dyshohet se ka ndërruar datat e skadimit të afateve

Radio Televizioni i Belgjikës (RTBF), në versionin frankofon të saj, ka intervistuar një punonjës të kësaj kompanie, i cili ka rrëfyer se kompania “Veviba” ka eksportuar mish edhe në Kosovë.

Në kushte anonimiteti, punonjësi i “Veviba”-s tregon se ai vet i kishte zgjatur datat e skadimit të afateve në disa prodhime të mishit, të cilat kanë pasur destinacion Kosovën.

“Unë i kam fshirë datat e vjetra dhe i kam vendosur afate të reja, të cilat i kam zgjatur për një vit më shumë”, rrëfen punonjësi i kompanisë, i cili shprehet se në kompaninë “Veviba” në Bastonjë të Belgjikës, ka munguar higjena.


Punonjësi i “Veviba” dëshmon për skandalin e mishit 

Në Belgjikë shumë produkte të mishit nga kompania “Veviba” janë hequr nga tregu, derisa kjo temë është kthyer në fokusin e mediave dhe të shoqërisë atje. FASFC ka bërë të ditur se do ta njoftoi publikun lidhur me të tjera veprime që kanë të bëjnë me skandalin e mishit të prishur. /Insajderi.com