Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesat për hedhje të aktakuzës për korrupsion ndaj Ministrit aktual të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të akuzuarve të tjerë, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha-Prestreshi, shkruan Insajderi.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, në çështjen penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P. për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa të akuzuarit A.O., B.U. dhe M.B-P. edhe për veprën penale në bashkëkryerje Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore nga neni 402 par.2 lidhur me paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 të datës 24.07.2020, jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor ka vendosur lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve dhe ka aprovuar kërkesat për hedhjet të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U.,dhe M.B.-P., kundër aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 e datës 24.07.2020, si i pabazuar”, thuhet në njoftim.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda më tej në njoftim ka bërë të ditur se ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda, PP.I.nr.105K/2018 të datës 24.07.2020, dhe ka pushuar procedurën penale kundër të akuzuarve L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., dhe M.B.-P., për veprat penale të përshkruara si më lartë.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik të vitit të kaluar e ngarkonte Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Përveç Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishin të akuzuar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi./Insajderi.com