Hidhet poshtë aktakuza ndaj Ramë Bujës

Hidhet poshtë aktakuza ndaj Ramë Bujës

Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja.

Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar vetë avokati i Bujës, Petrit Dushi.

“Gjykata e ka pranuar kërkesën tonë për hedhje të aktakuzës dhe ka liruar Ramë Bujën dhe Xhavit Dakajn”, ka thënë Dushi shkurt për Insajderin.

Gjykata Themelore e Prishtinës lidhur për të njëjtin rast ka hedhur poshtë edhe aktakuzën ndaj ish-sekretarit të MASHT-it, Xhavit Dakaj.

Ramë Buja si ministër i Arsimit dhe Xhavit Dakaj në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në këtë ministri, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës.

Buja dhe Daku akuzoheshin se me qëllim të përfitimit për vete apo për të tjerët, më 11 maj 2012 kishin arritur marrëveshje me kompaninë “Alb-Architect” për vazhdimin e projekteve dhe mbikëqyrjen profesionale të projekteve të iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15 maj 2009 dhe aneks-kontratës të datës 16 maj 2011.

Avokati i Ramë Bujës, Petrit Dushi, pret që prokurori special të ankohet për hedhjen poshtë të aktakuzës por që sipas tij do të jetë e kotë.

“Me siguri që prokurori special do të ankohet por do të jetë e kotë pasi nuk ka pas elemente ndaj tij, pasi që aktakuza është ngrit në kohën kur ky nuk ka qenë fare ministër”ka thënë Dushi./Insajderi.com