Hipokrizia e ateistëve kundër Islamit

Kushdo le ta merr si mbrojtje e religjionit në të cilin kam lindur, por nuk është. As nuk është sulm ndaj religjioneve tjera. Pos ekspozim i një hipokrizia kolektive që ma rikujtuan edhe një herë dy katolikët ekstremistë në Shqipëri

Hipokrizia e ateistëve kundër Islamit

Vite më parë një mik i imi më kishte futur në një grup jopublik në Facebook. Ishte grup për ateistët dhe agnostikët. Mbanin ndonjëherë edhe takime për kafe në disa lokale në Prishtinë. Nuk kisha as vullnetin që t`i takoja sepse nuk e shoh veten as tek ateistët e as tek agnostikët. Aq më pak tek fetarët. Diçka që duket klishe, por është krejt e vërteta: duke kërkuar përgjigje.

I njëjti grup më nuk ekziston. Me emra të njëjtë mund të ketë. U shua pasi që në të ishin infiltruar të krishterë ekstremistë që maskoheshin si ateistë. Por, u ekspozuan kur në kohët për përkujtimin e Nënë Terezës, ku politikanët shqiptarë ngarendnin se kush të merrte më shumë like duke e lavdëruar, disa ateistë të njëmend filluan të shpërndanin shkrime se si Nënë Tereza kishte edhe një anë tjetër, pos humanistes: anën që i linte të sëmurit edhe të vuanin që në vegimet e tyre ta shihnin Jezusin. Katolikëve të maskuar si ateistë u ra maska. Jo ndonjë dëm i madh. U mbyll një grup në Facebook, asgjë më shumë.

Atëherë kisha menduar shumë për këtë. Por, u binda që nuk ia vlente që të shkruaja, sepse më dukej si incident, jo si fenomen. Tash kur u shfaqën në skenë Luigj Marku dhe Anton Zefaj dhe kërcënimet e tyre ndaj myslimanëve shqiptarë duket që është e pashmangshme që të flitet edhe për ekstremistët katolikë.

Këto ditë bota është duke vluar pas publikimit të dokumentarit të Netflix, “The Family”, që në thelb shpjegon funksionimin e një organizate sekrete të krishtere që e kontrollon pushtetin në Washington. Dhe jo vetëm. Përmes aktivitetit të tyre “lutjet e mëngjesit” ata kanë arritur që të shtrijnë ndikimin e tyre në tërë botën. Në thelb është një organizatë që mbron liderë me fuqi politike në çfarëdo rrethane që ata gjenden. Historia e tyre e preferuar për t`i arsyetuar krimet e njerëzve të pushtetshëm, por që e kanë pranuar që të bëhen miq me këtë organizatë që as nuk i ka dhënë emër e as hierarki vetës, është historia e Mbretit David (Davudit, sipas Islamit).

Kjo histori biblike është e thjesht dhe bizare: Davidi ishte magjepsur pas bukurisë së gruas së njërit nga komandantët e ushtrisë së tij. E dërgon burrin e saj që të vdes në betejë vetëm që t’ia merrte gruan. Zoti, sipas interpretimit të “The Familly”, e shpëtoi mbretin David duke ia hequr qafe burrin e saj. Gjithnjë sipas ideve të kësaj organizate, Davidi ishte zgjedhur nga zoti për udhëheqës, prandaj këto veprime ishin të justifikueshme.

Kjo organizatë thellë e influencuar nga krishterimi ka ditur që të ketë në shoqëri edhe diktatorë. Edhe kriminelë. Edhe spiunë rusë. Madje është shoqëruar edhe me terroristë. Kishin vetëm një kusht: t`i lutemi së bashku Jezusit. “Jezusi, plus asgjë tjetër”, është motoja e tyre.

Kur filluan raportimet për Luigj Markun dhe Anton Zefaj kishte reagime se ata janë të çmendur. Se ata nuk e përfaqësojnë krishterimin. Se duhet të injorohen. Krejt mund edhe të jenë të vërteta. Por, reagimet e tilla po vinin nga të njëjtit njerëz që i shpërndanin raportimet për Ridvan Haqifin e Lavdrim Muhaxherin. Edhe këta dy mund të ishin të çmendur. Nëse nuk kanë vdekur, edhe mund të jenë të çmendur. Edhe mund të mos e përfaqësojnë Islamin fare. Ndoshta duhej ti injoronim. Por, nuk i injoruam.

Për të katër karakteret ka një pyetje bazë: prej nga frymëzimi i tyre?

Janë frymëzime që vijnë nga tekstet fetare. Urrejtja ndaj feve të tjera vije nga mësimet e një feje të caktuar. Librat fetarë janë të mbushura me versete të përgjakshme. Bizare. Të papranueshme për kohën ku jetojmë. Në kohën e Inteligjencës Artificiale. As Tora, as Bibla e as Kurani nuk janë shkruar si libra për të gjitha kohët.

Tendenca për ti paraqitur pastaj mësimet që i shkruan disa liderë të lidhur ngushtë me pushtetin e biznesin, si Mojsiu, Jezusi e Muhamedi, si mësime për krejt botën, kur ata kryesisht jetuan në një territor të kufizuar përtej Egjiptit, duke pretenduar që zoti paraqitej ekskluzivisht nga shkretëtirat e këtij vendi e deri te Nazareti, është e ngjashme me fenomenin e jashtëtokësorëve. Ata paraqiten veç në Amerikë. Afër kamerave të Hollywoodit.

Kjo është në rrafshin global. Në kontekstin shqiptar, tendenca për të minimizuar incidentet me njerëz si Luigj Marku dhe Anton Zefi është asgjë më shumë se sa një hipokrizi kolektive në shkallë shqetësuese. Është përpjekje për të krijuar imazhin që veç Islami si fe di të frymëzoj terrorizëm.

Terrorizmin në botë e kanë dhe e frymëzojnë sidomos fetë Brhamanike. Të gjitha këto fe e kanë në thelb përhapjen dhe konvertimin e të gjithë banorëve të botës në besimin e tyre, veçse dallojnë në mënyrën se si mund të konvertohesh në to. Derisa për të hyrë në Judaizëm është një rrugë pak më e vështirë, hyrja në Krishterim e të bërit mysliman është njëjtë si të kalosh nga PDK-ja në Nismën Socialdemokrate ose në AAK-në e Ramush Haradinajt. Një e sharë për ish-partinë, në këtë rast për ish-fenë, dhe një deklarim publik i mirë për partinë, në këtë rast, fenë e re ku po hyn.

Metodat që historikisht i ka përdorur terrorizmi i krishterë, siç ishte Inkuizicioni i përligjur nga vetë qendra e Krishterimit, Vatikani dhe Papati, në krahasim me krimet që ka bërë së fundi organizata terroriste islamike, ISIS duken tejet të sofistikuara. Në fakt, ISIS është një kopje e keqe e Inkuizicionit.  Por, duhet të rikujtojmë, Inkuizicioni ishte terrorizëm zyrtarë i organizuar nga Vatikani.

‘Ku Klux Klan’ në anën tjetër është një tjetër organizatë terroriste dhe raciste e krishterë që paraqet rrezik edhe sot. Evropa sot vuan nga e djathta ekstreme që në bazë nuk është asgjë tjetër pos ekstremizëm i krishterë.

E drejta për abort dhe të drejtat e komuniteteve si LGBTI sot në botë rrezikohen nga të gjitha fetë, por kundër tyre prijnë ekstremistët e krishterë.

Terrorizmi si fenomen nuk frymëzohet madje vetëm nga fetë Brahmanike, por edhe nga religjione që nuk e kanë në thelb përhapjen në shkallë globale, siç është Budizmi. Rrëfimet nga Burma dhe Miamara janë ato që e tregojnë një anë deri tash të panjohur të këtij religjioni që për imazh i kishin disa njerëz  tullacë të ulur këmbëkryq që luteshin gjatë. Por, edhe Hinduizmi në anën tjetër, ka ditur që ti ketë episodet e tij të terrorizmit, sidomos aktet e tyre kundër feve të tjera në Indi, me theks të veçantë ndaj atyre që ia lejonin vetës që të ushqeheshin me mish lope.

Në fund të fundit terrorizmi është veç rezultat i ideologjive që pretendojnë që e posedojnë të vërtetën. Është efekt anësor i këtij mendimi. Shkenca skeptike në anën tjetër, që çdo teori e merr si të qëndrueshme derisa të paraqiten prova që e rrëzojnë atë, nuk mund të prodhojë terrorizëm. Praktikisht, nuk ka për çka të luftojë. Të vret e të vritet për “një të vërtetë”. Sepse, nuk ekziston një e tillë.

Hipokrizia e shqiptarëve në raport me Islamin e Krishterimin për një kohë të gjatë është shtrirë thellë edhe në debatet publike, e sidomos ato televizive. Aty shpesh shohim ateistë që nuk kursehen asgjë kundër Islamit, por janë të matur kundër Krishterimit. Apo, ndryshe, janë ateistë kundër Islamit.

Dhe krejt ky fenomen ka një burim të fuqishëm historik. Shqiptarët ekzistencën e tyre e lidhin me biznesmenin nga Kruja, Gjergj Kastrioti që u bë i njohur si Skënderbeu. Ajo që e njohim si fakt për të është një libër artistik i Marin Barletit, por pjesa tjetër e historisë së tij dhe luftërave fetare në aleancë katoliko-ortodokse kundër myslimanëve të Perandorisë Otomane mbetet e përshkëllirë nga historinë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ose, thënë më shkurt: Skënderbeu që ne sot e njohim është Skënderbeu që na i shërbeu në tavolinë si ‘ushqim i vetëm’ diktatori Hoxha.

Për një kohë ishte bërë trend që shqiptarët janë identitet i vërtetë vetëm si i besimtarë të Jezusit. Të krishterë a ortodoks, por assesi ndryshe. Pak a shumë ,një ideje të tillë i frynte edhe shkrimtari Ismail Kadare duke e rihapur edhe një herë temën e konvertimit të shqiptarëve me dhunë në myslimanë. Duke sugjeruar që kthimi në orgjinë nënkupton kthimi në të krishterë.

Në fakt, është ende krejt e paqartë se si u kthyen shqiptarët nga paganë në të krishterë e ortodoksë, por ndihet mirë që në Evropë paganët në të krishterë u kthyen me dhunë. Pse duhet të ketë ndodhur ndryshe tek shqiptarët?

Nëse shqiptarët duan të kthehen në orgjinë, atëherë nuk u mbetet tjetër pos të rinisin besimin tek zoti Diell. Ti luten për pjellori Hyjneshës në Fron. Të e ndërtojnë një flotë të fuqishme piratësh për të vendosur haraç në Mesdhe. As Krishterimi as Islami nuk janë orgjinë e tyre.

Fakti që besime kaq të ndryshme kanë jetuar bashkë tek shqiptarët për kaq gjatë tregon më shumë se asgjë tjetër që shqiptarë në fakt kurrë nuk u konvertuanë plotësisht në fetë që iu erdhën me dhunë ekonomike dhe dhunë tjetër. Apo, shqiptarët nuk kanë tolerancë fetare, por më shumë është një bashkëjetesë jo-fetarësh.

Mbaj mend që  në fëmijëri ne i kemi kremtuar festat pagane si Shën Gjergji që nuk ishte Shën Gjergji i krishterë. Ishte një fillim i pranverës. Që kemi besuar tek gjarpri i shtëpisë. Që i kemi ‘frikësuar’ trupat e pemëve në pranverën e hershme që nëse nuk japin fryte këtë vit, do ti presim. Të flasësh me gjallesa jo-shtazë as nuk është e besim as i Krishterë e as diçka që lejohet në Islam. Është tipike sjellje pagane e bashkëjetesës me natyrën.

Në fund të fundit, me dëmin që ia kemi bërë natyrës në krejt tokat ku shqiptarët jetojnë, ndoshta llogaria më e mirë për të ardhmen do të ishte kthimi në paganizëm. Edhe një herë të tentojmë që ti rikrijojmë raportet e bashkëjetesës me ato pak burime natyrore që kanë mbetur.

Nuk duhet të harrojmë që amnistimi i radikalizmave  që vijnë nga njerëz si Luigj Marku dhe Anton Zefi krijojnë pashmangshëm hapësirë që radikalët e grupeve prej kah ata vijnë të fillojnë dhe të shfaqen edhe më hapur. Njëjtë si në fenomenin e Islamit radikal, kur Shefqet Krasniqi u tolerua të ofendonte Nënë Terezën përfunduam duke e parë Lavdrim Muhaxherin në BBC e CNN.