Historia e nënës që përjetoi tmerrin e tërmetit në dhomën e maternitetit

Historia e nënës që përjetoi tmerrin e tërmetit në dhomën e maternitetit

Të qarat e Ameisit një ditë pas lindjes së saj, do të mbeten të pashlyera në memorien e së ëmës.

Frikën që përjetoi nga tërmeti i mëngjesit të 26 Nëntorit, gruaja e re e përcolli fatkeqësisht dhe tek e bija, fëmija i saj i parë, të cilën u desh ta nxirrte menjëherë nga dhoma e maternitetit, ndonëse ajo ishte në gjumë. Sot, 6 ditë nga lindja e vajzës, ajo tregon se çfarë përjetoi atë mëngjes të marte.

“Isha në dhomë bashkë me vajzën. Sapo kam ndjerë tërmetin nuk kam menduar asgjë veç të nxjerr vajzën nga dhoma e të dal jashtë. Fatmirësisht pranë vetes pata nënën time. Iu drejtuam shtëpisë, por paniku për një tërmet të dytë na detyroi ta braktisnim menjëherë e bashkë me vajzën e vogël kemi qëndruar në makinë”, kujton mamaja e Ameisit, shkruan Gazeta Shqip.

E akomoduar në një nga dhomat e hotel “FAFA” çifti i ri duket i qetë. Ameisi nuk e ka parë ende dhomën e saj të re që ja kanë përgatitur prindërit, por në ambientet e qendrës akomoduese asaj i janë krijuar të gjitha kushtet.
“Na kanë sjellë çdo gjë, që nga qumështi artificial, pampersat, veshjet, çdo gjë që i duhet vajzës”, tregon nëna e saj.

Bashkë me Ameisin në qendrën akomoduese “FAFA”, janë dhe 5 foshnje të tjera që kanë lindur këto ditë.