Historianët vlerësojnë se monumentet fetare ortodokse të Kosovës, për shekuj me radhë po përdoren në vazhdimësi për të vetmin qëllim: "që të arrihet synimi politik, ripushtimi i Kosovë". Ndonëse besojnë se Kosovës i është bërë e padrejtë mospranimi në UNESCO në vitin 2015, atëkohë shteti ishte më afër anëtarësimit në këtë organizatë sesa tani.
“Termi ‘rrezik’ i përdorur nga UNESCO për katër monumentet kulturore në Kosovë është i qëllimshëm dhe më prapavijë politike”.
Kështu vlerëson historiani, Izet Miftari, i cili në një përgjigje me shkrim për Gazetën Online Insajderi, tha se letra e dërguar nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, është e rëndësishme në aspektin politik dhe në atë historik.
“Institucionet e Kosovës, në veçanti ato shkencore, duhet të promovojnë të vërtetën historike të atyre monumenteve. Në vazhdimësi të huajve u thuhet se historikisht shqiptarët e Kosovës kanë qenë shumë tolerantë dhe bashkëjetues në aspektin fetar. Prandaj, nuk ka nevojë të mbetet në fuqi termi “në rrezik”, ngase kjo nuk është e vërtetë as në aspektin historik por as në atë të sotshëm faktik”, u shpreh ai.
Miftari ka deklaruar se që nga shekulli XIX e deri më sot, me këto monumente fetare ortodokse të Kosovës, në vazhdimësi “është manipuluar, me qëllim që arrihet synimi politik, ripushtimi i Kosovës”.
Ai deklaroi se në vitin 2015 shtetit të Kosovës i është bërë e padrejtë që nuk është pranuar në këtë organizatë.
“Kosova është shtet i njohur mbi 100 shtete. Ka dëshmu që nga viti 2008, kur është shpallur pavarësia se është e përkushtuar në mbrojtje të diversitet kulturor. Është shumë e padrejtë që Kosova nuk është pjesë e UNESCO-s”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, historiani dhe profesori universitar, Nuri Bexheti, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të kuptojë tani se sa e vështirë është të anëtarësohet në një organizatë, pasi që ka qenë vetë ajo që sipas tij, e ka dëmtuar procesin paraprak të anëtarësimit.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptoje se edhe qeveritë paraprake kanë dërguar letra të pafundme, kanë bërë lubim permanente, nuk kanë lënë gurë pa lëvizur me miq ndërkombëtar me amerikan dhe evropian dhe të tjerë që e kanë mbështetur sovranitetin dhe shtete ndërtimin e Kosovës, tani është koha që të bindet qeveria aktuale se sa e vështirë është të aterojë Kosova në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Bexheti.
Sipas tij, Kosova në vitin 2015 ishte shumë më afër anëtarësimit në këtë organizatë sesa tani.
“Atëherë ishte edhe inercioni pas shpalljes së pavarësisë dhe mundësia e anëtarësimit ishte më e lehtë, por për hir të së vërtetës në rast të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO nga Qeveria Kurti do të ishte sukses shumë i madh për vendin”, tha më tej ai.
Behxheti, deklaroi se kjo është një ndër sfidat kryesore të qeverisë Kurti dhe se duhet mbështetur pasi që sipas tij, nuk është interes partiak, por i Kosovës në tërësi.
“Serbia monumentet i konsideron si Jerusalemin. Ne si Kosovë nuk duhet të jemi kundër këtyre monumenteve por duhet të i promovojnë si trashëgimi e jonë, pra duhet t’i mbrojmë vlerat e tona”, ka thënë profesori universitar.
Edhe arkeologu njëherazi profesori i Universitetit ” Ukshin Hoti”, Shafi Gashi, ka thënë së është shumë skeptik për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Ai në një prononcim në telefon për redaksinë e Gazetës Online Insajderi, tha se ky proces është mjaftë kompleks dhe në masë të madhe varet nga lobimet e fuqishme që ka bërë Kosova në raport me shtetet tjera .
“Unë mendoj që është hapi i shpejtë është dashur një iniciative dy vjeçare, por ta shohim tani se si do të votojnë këto shtete, edhe pse jam shumë skeptik, pasi që herën e kaluar kemi qenë shumë më afër”, ka thënë Gashi.
Ai më tej tha se beson që Qeveria e Kosovës ka paraqitur një raport të detajuar pse duhet larguar termi “ i rrezikuar”dhe cili do të jetë përkujdesi shtetëror për to në aspektin e menaxhimit.
“Qeveria Kurti, ka pak kohë që është formuar dhe për të arritur që të anëtarësohemi në këtë organizatë duhet angazhim shumë afatgjatë i koordinuar mirë më vendet mike por edhe me ato vende që janë skeptike, ndërsa në anën tjetër duhet të përgatitet një raport i detajuar ku tregon se Kosova vërtet ka bërë hapa pozitiv në plotësimin e shumë standardeve të bazuar në ligjin ndërkombëtare”.
Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë dërguar një letër në UNECSO, në të cilën janë paraqitur katër pika kryesore.
Pika e parë është që katër monumentet e Kosovës që janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria “në rrezik”.
Pika e dytë që të zëvendësohet terminologjia e vjetër nga “Provinca Autonome e Kosovës” në “Republika e Kosovës”.
Në pikën e tretë është kërkuar nisja e procesit për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke e larguar Serbinë dhe vendosur Kosovën në këtë përgjegjësi.
Si dhe në pikën e katër kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. /Insajderi.com