
Muhamed Mufaku është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë-Hercegovinës. Vendimi që historiani kosovar t’i bashkohet këtij institucioni është marrë në Kuvendin e mbajtur të enjten. Kësisoj, Mufaku u bë anëtari i 21-të i jashtëm i kësaj akademie së bashku me figura të njohura ndërkombëtare, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas raportit të Seksionit të shkencave humane, Mufaku u zgjodh në saje të kontributit të tij në studimet ballkanike të botuara në Lindjen e Mesme gjatë qëndrimit të tij në Jordani (1989-2018) si profesor i historisë së re, duke përfshirë edhe pesë libra për historinë kulturore të Bosnjës gjatë sundimit osman dhe në ish-Jugosllavi, si dhe disa studime të botuara në revistat shkencore.
Muhamed Mufaku u lind në Damask në vitin 1952. Ka diplomuar në Universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoratën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, ku ka ligjëruar deri më 1987. Në atë vit u dëbua prej Kosovës nga regjimi i Slobodan Milosheviqit. Më pas ligjëroi në Universitetin e Jermukut në Irbid të Jordanisë. Ishte drejtor i institutit “Shtëpia e Urtësisë” dhe gjithashtu pedagog në Universitetin Al al-Bejt në qytetin e Mafrakut në Jordani, deri në pensionimin e tij këtë vit. Ka specializuar në historinë dhe letërsinë e popujve të Ballkanit.