Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, ka thënë se nuk janë të vërteta pohimet e profesorit Enver Hasani, i cili ka thënë se Presheva është këmbyer me komunën e Leposaviqit.
Përmes një shkrimi, Hivzi Islami, pretendon që me fakte shkencore t’i përgjigjet Hasanit, duke thënë se Luginës së Preshevës deri në vitin 1912 ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës, ndërkaq edhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912, ata në të gjitha rrafshet ishin dhe mbetën pjesë e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke i ndarë vetëm një vijë administrative-politike.
Në vijim është shkrimi i plotë i Akademik Hivzi Islamit drejtuar profesorit Enver Hasani
NUK KA PASUR KËMBIM TË LEPOSAVIQIT ME PRESHEVËN, PROFESOR HASANI!
Shkruan: Hivzi ISLAMI
Për një autor të kombësisë shqiptare që pretendon se është jurist, specialist i të drejtës ndërkombëtare dhe njohës i kufijve, nuk është e lejueshme të deklarojë publikisht se në vitet 1958-1959 “Leposaviqi u shkëmbye me Preshevën”! Këtë e dëgjova disa herë nga Prof. Enver Hasani. Pas Luftës II, breza të tërë nxënësish shqiptarë shkollimin fillor, më vonë dhe të mesëm e mbaruan në Luginë, kryesisht në Preshevë (Serbi). Këto deklarime të pasakta prof. Hasanit më detyruan të sjell disa të dhëna shkencore në mënyrë që opinioni të informohet drejt.
Rrjedhat historike, jo të rastësishme, qenë të atilla që shqiptarët e Luginës së Preshevës deri në vitin 1912 ishin pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës (në periudhën 1978-1912 Presheva ishte kaza e Sanxhakut të Prishtinës). Megjithatë, edhe pas pushtimit të Kosovës nga Serbia më 1912, ata në të gjitha rrafshet ishin dhe mbetën pjesë e një tërësie me popullatën shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë, duke i ndarë vetëm një vijë administrative-politike. Morën dhe pjesë aktive në të gjitha proceset dhe lëvizjet kombëtare e çlirimtare të atëhershme e të mëvona, përfshirë ndihmat materiale dhe me ushtarë në Lëvizjen dhe UÇK-në (1998-1999), në luftën çlirimtare të shqiptarëve në Maqedoni (2001) dhe në vetë UÇPMB-në. Në pikëpamje kulturore dhe shpirtërore, në rrafshin etnografik (martesat, doket, zakonet etj.) dhe në aspektin arsimor (shkollimi universitar) si në të kaluarën, ashtu edhe sot, çdo gjë te shqiptarët e Luginës është e lidhur pashkëputshëm me Kosovën.
Nuk është fakt i panjohur se ndarjet e territorit etnodemografik të shqiptarëve deri në ditët tona kanë qenë të imponuara e të dhunshme dhe të shoqëruara me tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj. Territoret shqiptare të tri komunave Medvegjë, Bujanoc, Preshevë bëjnë pjesë në tërësitë e mëdha etno-gjeografike ku përfshihen dhe rajonet e Gallapit dhe të Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhur me Luginën e Kumanovës-Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhen në Maqedoni.
Midis dy luftërave botërore, bashkë me disa pjesë të Kosovës dhe gjithë Maqedoninë aktuale, Lugina e sotme e Preshëvës i takonte Banovinës së Vardarit. Ndërkaq, gjatë Luftës II Botërore Lugina ishte zonë okupuese bullgare dhe pas kapitulimit të Bullgarisë më 8 shtator 1944, shqiptarët jo vetëm të Luginës, por edhe të territoreve të tjera etnike përreth, e ruajtën kufirin në vijën hekurudhore të hapësirës së sotme të komunës së Bujanocit dhe Preshevës për më shumë se dy muaj: nga 8 shtatori deri më 16 nëntor 1944, kur e morën kontrollin partizanët. Ka ekzistuar bashkëpunim midis celulave të PKJ-së të Preshevës me ato të Kumanovës dhe Gjilanit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Lugina e Preshevës përkundër vullnetit të popullsisë së saj, përmes formave krejtësisht jo të natyrshme të rregullimit territorial dhe administrativ, vazhdon të mbetet pjesë e Serbisë në kuadër të ish-RSFJ-së. Varësisht nga koniukturat dhe interesat politike të kohës, Lugina i takonte herë rrethit të Vranjës e herë atij të Leskocit (disa vite Presheva ishte nën administrimin e Bujanocit), ndërsa gjithnjë paraqiteshin pengesa të reja për komunikimin normal me qendrat fqinje me popullsi shqiptare, si Gjilani dhe Kumanova. Kjo ishte një politikë e paramenduar mirë me qëllim të fragmentimit territorial-administrativ të bashkësisë etnike, izolimit, ngushtimit të perspektivave zhvillimore dhe emigrimit të popullsisë shqiptare.
Me Kushtetutën e Serbisë të 17 janarit 1947 dhe pastaj me ligjet e aktet e tjera juridike fshatrat e Karadakut – Stanec, Sefer, Caravajkë, Peçenë, Maxhere, Depcë dhe Ranatoc (sot në kuadër të komunës së Preshevës), që atëherë ishin në kuadër të rrethit të Gjilanit, kaluan në Serbi. Edhe fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin me Ranillug të Kosovës, sikundër që edhe fshatrat Zarbincë dhe Pribovc (sot në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës. Para dhjetë viteve kishte propozime nga një funksionar i Kosovës (ministër e zv/kryeministër) që këto 11 vendbanime rurale, shumica gati të shpopulluara sot, të shkëmbeheshin me Veriun e Kosovës! Një absurd sui generis!
Lugina e Preshevës si tërësi shtrihet në një territor prej afro 1.250 km², në të cilin jeton një popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100.000 banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80% të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit. Nga 136 vendbanime, sa ka ky territor, popullata shqiptare shtrihet në 64 sish të tipit rural dhe në tri qendra të karakterit urban (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si seli komunale). Shqiptarët me shumicë absolute jetojnë në 41 vendbanime. Përveç selive komunale, edhe disa vendbanime rurale janë të përziera në pikëpamje etnike, ku dominojnë shqiptarët.
Para 4 dekadave në shumë vendbanime kishte më tepër popullatë të përzier, ku serbët ishin me prejardhje kolonizuese, të instaluar nga koha e pushtimit të Kosovës në vitin 1912 dhe veçanërisht pas konstituimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në vitin 1919. Lugina ishte dhe mbeti rajoni më i pazhvilluar në Serbi dhe në Ballkan: pjesët e banuara me shqiptarë sot janë më se 8 herë më të pazhvilluara se mesatarja e Serbisë. Shqiptarët e atjeshëm deri vonë jetonin ekskluzivisht nga bujqësia ekstensive dhe natyrale dhe brenda saj nga kultivimi i duhanit, ndërsa sot jetojnë kryesisht nga remitancat që sjellin migrantët e punës nga ky territor në vendet e Europës dhe jashtë saj. Nga trysnitë ekonomike, shoqërore dhe politike serbe, braktisja e territorit po vazhdon me një ritëm të shpejtuar.
Kufiri etnik kosovar-shqiptar sot nuk shkon deri në vijën hekurudhore Beograd-Shkup, por e kapërcen hekurudhën dhe përfshin edhe këto 12 vendbanime shqiptare: Samolica, Negoci, Bilaçi, Bukuroca, Bushtrani, Lerani, Zhunica, Gerajt, Strezoci, Çukarka, Golimidolli dhe Bugarina, me resurse relativisht të mira natyrore.