Hodhi gazlotsjellës në Kuvend, dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht ish-deputeti Driton Çaushi

Hodhi gazlotsjellës në Kuvend, dënohet me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht ish-deputeti Driton Çaushi

Driton Çaushi, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, është dënuar me një vit e dy muaj burgim me kusht pasi që akuzohet se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës si dhe ka penguar kryerjen e detyrave zyrtare kryeparlamentarin dhe deputetët, përcjell Insajderi.com.

Çaushi është dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa me tre muaj burgim me kusht për veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Gjykatësja, Lumnije Krasniqi, tha se të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga 9 gushti deri më 8 shtator të vitit 2016.

Ndryshe, më 27 mars 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij, sipas të cilës thuhet se më 16 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës ku ishte pjesëmarrës i akuzuari, në cilësinë e deputetit të LVV-së, ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.