Holanda ka zbutur qëndrimin e saj kundër hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian pasi që të mërkurën, Parlamenti I Holandës ka rënë dakord për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë për hapjen e negociatave me këtë të fundit, njofton Insajderi.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare.
“Qeveria holandeze është e kënaqur qe është krijuar një kuadër negociues i qartë dhe i qëndrueshëm për negociatat e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë. Qeveria pret me kënaqësi mbajtjen e të parës Konferencë Nder-Qeveritare si një nisje zyrtare e negociatave, një trajektore intensive në të cilën reformat në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit si dhe fuqizimit të mëtejshëm të institucioneve demokratike do të mbeten prioritete kyçe”, thuhet në njoftimin e qeverisë holandeze.
Qeveria holandeze ka rënë dakord me gjetjet e Komisionit Evropian, i cili në mars të vitit 2020 vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare të 27 vendeve anëtare të BE-së me Shqipërinë, pasi të ishin plotësuar një serë kushtesh, kryesisht në fushën e sundimit te ligjit/shtetit të së drejtës.
Për këtë çështje, edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shkruar se “Shqipëria u zhbllokua”. /Insajderi.com