Aq shumë diskutohet për politikë në Kosovë, saqë vështirë të mbetet dikush i përjashtuar dhe pa marrë anë. I gjendur në këtë ambient ku politika është biseda e pashmangshme e ditës, Stefan van Dijk, e ka pasur të pamundur të mos përfshihet. Ai është një holandez që jeton në Kosovë. Me profesion është këshilltar. Ka edhe një kompani këshillimi për bizneset e huaja. Por, Vjosa Osmanit ka vendosur t’i ndihmojë falas. Në një intervistë për Gazetën Online Insajderi, Van Dijk tregon përse pikërisht Osmanit.
Holandezi 36 vjeçar, Stefan van Dijk, i cili jeton në Kosova nga vitit 2012 dhe lobon për investime përmes biznesit të tij të këshillimit, kësaj radhe lobimi i tij prek edhe fushën e politikës.
Ai ka njoftuar se do ta ndihmojë presidenten e përkohshme, Vjosa Osmani, dhe ekipin e saj gjatë fushatës zgjedhore që pritet të nis nga data 3 shkurt deri më 12.
Se cila do të jetë ndihma e tij për Osmanin gjatë këtyre zgjedhjeve, Van Dijk ka treguar në një intervistë për Gazetën Online Insajderi.
“Unë jam pjesë e ekipit të saj të komunikimit, por do të ndihmoj në çdo mënyrë që mundem”, ka thënë shtetasi holandez.
I pyetur nëse ka ndihmuar më parë në ndonjë nga fushatat zgjedhore të kaluara, Van Dijk thotë se edhe pse e ka ndjekur politikën dhe ka qenë aktiv në rrjetet sociale, duke u shprehur për të mirat dhe pakënaqësitë për shumë nga udhëheqësit politik, ai asnjëherë më parë nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë në politikë.
“Sigurisht që unë kam miq dhe kontakte në parti dhe organizata të ndryshme, dhe respektoj këdo që dëshiron ta bëjë Kosovën një vend më të mirë”, thotë tutje van Dijk.
Por, pse zgjodhi të ndihmonte pikërisht Osmanin?
Sipas biznesmenit holandez udhëheqja e Osmanit dhe guximi i saj si gruaja më e votuar në vend, është një frymëzim jo vetëm për të, “por për mijëra njerëz në Kosovë dhe më gjerë”.
“Unë mendoj se ajo me të vërtetë mund ta shtyjë këtë vend përpara dhe ka bërë një punë fantastike duke na përfaqësuar në skenën ndërkombëtare. Dhe sigurisht, unë gjithashtu shikoj me ‘sy të huaj’ drejt vendit. Prandaj doja t’i jepja asaj mbështetjen time gjatë kësaj fushate”.
Ai tutje sqaron se pret që të fillojë fushata zgjedhore dhe të përpiqet t’iu tregojë të rinjve – sidomos atyre që nuk janë të interesuar për politikë – sikurse në Kosovë, por edhe atyre në diasporë, se angazhimi i tyre në këtë sektor është i rëndësishëm.
“E ardhmja e këtij vendi dhe shoqëria jonë është në duart dhe në votën e tyre – prandaj ta përdorin me mençuri”, shton ai.
Van Dijk thekson se ndihma e tij bëhet për të reflektuar në zhvillimin e vendit, në përmirësimin e spitaleve dhe të shkollave në Kosovë dhe sipas tij, vetëm njerëz me integritet “mund ta bëjnë këtë vend një vend më të mirë”.
“Në çdo vend të botës, politika ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit, por mendoj se kjo është veçanërisht e vërtetë këtu në Kosovë. Shikoni gjendjen e spitaleve tona dhe gjendjen e shkollave tona. Unë jam bashkuar me ekipin e Osmanit sepse besoj se Lista Vjosa ka afër njerëz të devotshëm dhe me integritet, të cilët me të vërtetë mund ta bëjnë këtë vend një vend më të mirë”, ka thënë ai.
Ndryshe, van Dijk me kompaninë e tij të këshillimit “KosIBC.com”, merret me këshillimin e të huajve për të bërë biznes në Kosovë.
Këtë gjë e bën duke administruar tri faqe të internetit për Kosovën në tri gjuhët me shtrirjen më të madhe në botë: holandisht, anglisht dhe spanjisht. /Insajderi.com