Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, në një takim virtual me kancelarin federal të Austrisë, Sebastian Kurz, ka biseduar për zhvillimet aktuale politike, menaxhimin e pandemisë COVID-19, distribuimin e vaksinave, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe për bashkëpunimin bilateral, transmeton Insajderi.
Siç bëhet e ditur nga Zyra e kryeministrit, Hoti e njoftoi kancelarin Kurz me zhvillimet aktuale dhe punën e Qeverisë në detyrë, e cila po i kryen të gjitha obligimet në përputhje me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e vendit.
Po ashtu thuhet se Hoti me Kurzin bisedoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave, ku mori mbështetjen e tij për vazhdimin e punës së mirë të Qeverisë në mirëmbajtjen e kritereve të plotësuara për liberalizim, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës sa më parë të mundë të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen.
Kurzi konfirmoi se Austria do të konsiderojë vazhdimin e marrëveshjes për kredi të butë me Kosovën kryesisht për projekte për furnizim me ujë dhe trajtim të ujërave të zeza. /Insajderi.com