Hoti: Dialogu nuk e përçan Qeverinë

Hoti: Dialogu nuk e përçan Qeverinë

”Dialogu nuk do bëhet mollë sherri asnjëherë, sepse ne kemi një program qeverisës ku po vazhdoj të punoj në bazë të atij program. Nuk besoj që duhet të jetë problematike çështja sepse po zhvillohet mbi parime të qarta”.

Kështu u përgjigj kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, kur u pyet për rrezikun që dialogu me Serbinë ta përçajë Lidhjen Demokratike të Kosovës me partnerët e koalicionit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinaj kishte shprehur disa herë kritika për Qeverinë Hoti sa i përket orientimit të dialogut në nivel teknik.

Gjithçka kishte filluar me emërimin  Skënder Hysenit si Koordinator Nacional për Dialogun, njofton Insajderi.

“Mos koordinimi me partnerët e koalicionit për emërimin e Hysenit” si dhe “orientimi i dialogut në nivel teknik”, ishin kritikat e Haradinajt për kreun e ekzekutivit, Avdullah Hotin.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon sot në nivel të delegacionëve.

Emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, tha të enjten se temë e ditës në tavolinën e diskutimit në Bruksel do të jetë Pretendimet financiare dhe pronën ndërmjet Kosovës e Serbisë. /Insajderi.com