Hoti: Do të angazhohemi në përmbylljen e çështjes së mbetjeve mortore në morg

Hoti: Do të angazhohemi në përmbylljen e çështjes së mbetjeve mortore në morg

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se do të ndihmojnë Institutin e Mjekësisë Ligjore në angazhimin e përmbylljes së çështjes së 300 mbetjeve mortore të cilat vazhdojnë të qëndrojnë në morg, por ende nuk është arritur të identifikohen, njofton Insajderi.

Pas vizitës që Hoti i ka bërë këtij Instituti, ai tha se çështja e të pagjeturve është çështja më e ndjeshme dhe sipas tij Qeveria do të angazhohet që të zbardhet dhe përmbyllet sa më shpejtë.

“Në ditët e ardhshme unë do të pranoj, besoj shumë shpejtë, në zyrën time një elaburant për nevojat që i ka instituti dhe komisioni qeveritar për persona të pagjetur në mënyrë që të lehtësohet puna e institutit, para se gjithash në përmbylljen e çështjes së rreth 300 mbetjeve mortore që ende janë në institut”, tha ai.

Hoti tha se në ditët në vijim do të organizojnë edhe mbledhje të komisionit qeveritar për persona të pagjetur, që të diskutojnë në detaje për veprimet, siç tha ai konkrete, që do t’i ndërmarrin në mënyrë që instituti të mund të përmbyllë çështjen e mbetjeve mortore.

“Kjo është çështja më e ndjeshme për qytetarët e Kosovës, për familjet që ende presin të dinë për fatin e tyre, që t’u qëndrojmë afër edhe institutit edhe komisionit edhe krejt familjeve më mënyrë që kjo çështje të zbardhet dhe përmbyllet sa më parë”, tha Hoti.

E drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu e njoftoi kryeministrin nga afër me problemet që kanë.

“Patëm nderin ta kemi kryeministrin në vizitë dhe të bisedojmë për çështjet të cilat faktikisht na brengosin tërë popullatën e Kosovës, duke filluar nga mbetjet mortore të cilat edhe më tutje janë në morg dhe të cilat ende nuk janë identifikuar, dhe ja shpjeguam procedurat dhe problemet të cilat i ka ky proces dhe për atë se çka është e nevojshme që institucionet tona më të larta të na ndihmojnë për një periudhë të ardhshme”, tha Gerxhaliu. /Insajderi.com