Hoti e quan raportin e PE-së për mediat “konspiracion pa asnjë të vërtetë”

Kryeministrit nuk ia ka mbushur mendjen fare analiza e punuar nga një grup autorësh të angazhuar nga Parlamenti Evropian për mediat e Kosovës dhe mënyrën se si raportuan ato në pandemi. Madje ai e sheh atë të dyshimtë dhe krejtësisht të pavërtetë.

Hoti e quan raportin e PE-së për mediat “konspiracion pa asnjë të vërtetë”

“I ndërtuar me teori konspirative”, i është dukur Avdullah Hotit raporti i mbështetur nga Parlamenti Evropian për mediat në Kosovë dhe formën e raportimit të tyre, njofton Insajderi.

Kryeministri i Kosovës, duke folur nga Rahoveci, ku ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për një shkollë fillore, shtoi se në atë raport nuk ka pasur “asnjë të vërtetë”.

“Unë shpresoj dhe jam i bindur se jemi duke komunikuar tani me zyrtarët e BE-së, të Parlamentit Evropian lidhur me këtë raport”, tha Hoti.

“Ky raport nuk është opinioni i Parlamentit Evropian por i autorëve dhe duket qartë se në bazë të analizave që i janë bërë raportit dhe të dhënat që janë përdorur në konkludimet e këtij raporti janë të paqëndrueshme të pavërteta dhe konspirative”.

Kjo analizë për mediat në Kosovë dhe raportimin në kohë pandemia e shkruar nga disa autorë dhe e mbështetur nga Parlamenti Evropian, thoshte se ka pasur nga disa media raportim të rrejshme, apo siç tashmë njihen si “Fake News”.

Raporti e lidhte edhe rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, me raportimin “e rrejshëm” të mediave.

Shkrimi  ishte punuar jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit./Insajderi.com