Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën

Hoti: Fitorja jonë çliron Kosovën

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në Prishtinë në tubimin përmbyllës se fitorja e tyre “nënkupton çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive për fëmijët tanë”.

“Të nderuar qytetarë. Sot, iu shoh të lumtur. Sytë tuaj e tregojnë këtë. Dhe keni të drejtë. Fitorja është afër. Kjo fitore e çliron të ardhmen tonë. Kjo është fitore për fëmijët tanë. Askush më nuk mund të mbajë peng të ardhmen e vendit tonë. Fitorja jonë lindi në Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Kaçanik, Junik, Deçan, Drenas, Shtime. U rrit në Pejë, Gjakovë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Viti, Gjilan. Sot, po kulmon këtu në Prishtinë, me këtë masë të jashtëzakonshme”, ka thënë Hoti.

Ai i ka garantuar të gjithë qytetarët e Kosovës se do ta mbrojmë fitoren tonë dhe askush nuk mund të shkelë mbi të, sepse ne Brezi i Republikës bashkë me qytetarët jemi më të fortë se kurrë, njofton LDK përmes një komunikate për media.

“Kur baballarët tanë, në krye me arkitektin e pavarësisë, Presidentin Historik Ibrahim Rugova, filluan projektin për pavarësinë e Kosovës, shpresa ishte e madhe. Ajo ishte shpresë për një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, demokratike, me rend dhe ligj, të integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Sot, ai testament i baballarëve tanë na është besuar ne, Brezit të ri, Brezit të Republikës. Ne jemi të gatshëm ta marrim këtë përgjegjësi. Mua më është besuar ta udhëheqë këtë projekt historik. Dhe unë e mbaj fjalën”, ka potencuar Hoti.

Ai ka deklaruar se Republikën mund ta bëjnë vetëm njerëz të ndershëm e atdhetarë dhe ky është ekipi im, kjo është lista që ne ua prezantojmë.

“Lista jonë përbëhet nga njerëz që e njohin Republikën si atdheun e tyre të vetëm. Mbrojtës të lirive themelore. Liberalë. Ithtarë të pushtetit të deleguar. Legalistë. Ëndërrimtarë për Kosovën që duam. Por, mbi të gjitha, njerëz të dashuruar në atdheun dhe familjen e tyre. Këta njerëz jemi ne, Brezi i Republikës”, ka thënë Hoti.

Kandidati i djathtë për kryeministër ka deklaruar se na duhet patriotizëm qytetar, që mbron të drejtën tonë për jetë më të mirë, që mbron mundësitë tona të barabarta dhe na duhet patriotizëm qytetar, për t’i mënjanur ata që na mbajtën peng kaq gjatë, njofton LDK përmes komunikatës.

“Kosova ka nevojë për një rrugë të re politike. Unë kam marrë përgjegjësinë, që bashkë me aleatët, ta bëj këtë. Dhe unë e mbaj fjalën e dhënë”, ka shtuar Hoti.

“Nuk mund të lejojmë më tutje dhunimin e lirisë sonë. Nuk mund të ketë indiferencë ndaj shkeljes së lirisë. Ky është rasti ynë për të realizuar ëndrrën e lirisë. Ne jemi përcaktuar për Republikën. Ne do t`ia dalim. Fatin tonë do ta marrim në duart tona më 11 qershor. Kthim prapa nuk ka. Republika u përket qytetarëve”, ka potencuar kandidati për kryeministër.

Ai ju ka drejtuar qytetarëve, në mënyrë të veçantë vajzave dhe djemve që për herë të parë u drejtohen kutive të votimit.

“Unë kërkoj nga ju, të dashur të rinj, që votën, ashtu si dinjitetin, ta ruani si të shenjtë. Vota juaj është përcaktuese për të ardhmen tuaj.  Ajo do ta bëjë ndryshimin e duhur. Ju lus që më 11 qershor të dilni në zgjedhje, krenarë dhe besimplotë se ndryshimi po vjen bashkë me ju”, ka qenë mesazhi i Hotit për rininë.

Ai është shprehur i bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje, por ne na duhet një fitore e madhe, për ta çkapur shtetin, për t’i çuar në opozitë kapësit e saj.