Hoti flet me partnerët ndërkombëtarë për situatën me COVID-19

Hoti flet me partnerët ndërkombëtarë për situatën me COVID-19

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar një takim virtual me ambasadorët e akredituar në vendin tonë dhe me drejtues institucionesh partnere ndërkombëtare në funksion të koordinimit sa i përket situatës epidemiologjike si pasojë e pandemisë COVID 19, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka njoftuar se ka paraqitur situatën epidemiologjike dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet për t’i rritur kapacitetet e menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe i falënderoi pjesëmarrësit për ndihmën e vazhdueshme që po i ofrojnë Kosovës.

Pjesëmarrësit e këtij takimi virtual u pajtuan që të intensifikohet koordinimi i punës së institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht sa u përket nevojave që ka sistemi shëndetësor për ta përballuar situatën epidemiologjike gjatë periudhës në vazhdim.

“Gjithashtu u arrit pajtimi që të formalizohet një mekanizëm i përbashkët i shkëmbimit të informacionit të analizës për situatën epidemiologjike me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Hotit.

Në këtë takim morën pjesë ambasadorët Philip S. Kosnett (SHBA), Nicholas Abbott (Mbretëri e Bashkuar), Jörn Rohde (Gjermani), Marie-Christine Butel (Francë), Nicola Orlando (Itali), Natacha Gomes (Luksemburg), zëvendësambasadorja e Norvegjisë Jenny Stenberg Sørvold, Drejtori i Bankës Botërore për Kosovën Massimiliano Paolucci, koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara Ulrika Richardson, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Riccardo Serri, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së me Kosovën Luigi Brusa dhe zëvendëskryesuesja e Bashkëpunimit e Zyrës së BE-së në Prishtinë Hillen Francke. /Insajderi.com