Hoti flet në telefon me Sekretarin e NATO’s, kërkon që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e saj

Hoti flet në telefon me Sekretarin e NATO’s, kërkon që Kosova të bëhet sa më shpejt pjesë e saj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur nga Qeveria, Hoti e falënderoi Stolenberg për rolin dhe angazhimin e KFOR-it për paqen dhe sigurinë në Kosovë.

“Me këtë rast, kryeministri Hoti vlerësoi edhe punën e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), që po jep ndihmesë të rëndësishme për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.  Kryeministri Hoti e ka vlerësuar edhe ndihmën e KFOR-it për menaxhimin e pandemisë COVID-19”, shkruhet në njoftim të kryeministrisë.

Gjithashtu, kryeministri Hoti theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar ta ndërtojë të ardhmen e saj euroatlantike dhe të bëhet sa më parë pjesë e NATO-s dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

“Ndërsa, Sekretari Stoltenberg e siguroi kryeministrin Hoti se NATO-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e Kosovës për të siguruar një mjedis paqësor dhe një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët e saj dhe të rajonit, si dhe mbështetjen për procesin e dialogut me Serbinë si mënyrë e vetme për të siguruar zgjidhje politike afatgjate”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com