Hoti fton viktimat seksuale të luftës të aplikojnë për status: Bashkë t’i demaskojmë dhunuesit

Hoti fton viktimat seksuale të luftës të aplikojnë për status: Bashkë t’i demaskojmë dhunuesit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka ftuar të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, që të aplikojnë për ta fituar statusin, transmeton Insajderi.

Në konferencën e quajtur ‘Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Hoti tha se “Turpi nuk është i viktimave, por i atyre që kanë kryer këto krime”.

Ndërkaq, ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, bëri apel që të mbijetuarve të dhunës seksuale t’u jepet më shumë rëndësi, t’u mundësohet realizimi i plotë i të drejtave për t’i ofruar qasje në drejtësi, dhe të punohet në largimin e stigmës dhe paragjykimeve me të cilët po përballen.

“Të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë i nevojitet ndihma jone. T’u mundësojmë një jetë më të dinjitetshme, t’i ofrojmë qasje në drejtësi”, deklaroi Jahjaga.

Në këtë konferencë foli edhe ministri i drejtësisë, Selim Selimi, i cili mes tjerash potencoi se zëri viktimave duhet të jehojë edhe në tavolinën e dialogut dhe se po punohet edhe rreth gjymit në mungesë. /Insajderi.com