Hoti: Gazeta që kam menaxhuar unë, ka publikuar emrat e mijëra UDB-ashëve

Hoti: Gazeta që kam menaxhuar unë, ka publikuar emrat e mijëra UDB-ashëve

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti ka thënë se ndihet krenar që gazeta të cilën ai e kishte menaxhuar vite më parë, InfoPress, “ka publikuar emrat e mijëra UDB-ashëve”.

Në një përballje me analistët Ilir Mirena, Imer Mushkolaj e Astrit Gashi në emisionin Debat+ në RTV Dukagjini, Rexhep Hoti është akuzuar për menaxhimin e dobët të Gazetës InfoPress.

Ishte analisti politik, Ilir Mirena, ai i cili i tha Hotit që nuk është njeriu i duhur për të akuzuar mediet pasi ai vet kishte drejtuar një medium që i kishte ulur reputacionin mediave kosovare.

“Z. Hoti, kur akuzove mediet, desha vetëm një konstatim ta bëjë: Ndoshta ju nuk jeni njeriu adekuat për t’i sulmuar mediat. Ju keni qenë pronar i Gazetës Infopress dhe keni përfunduar shumë shpesh në Gjykata për shkak se mediumi juaj në raportet e organizatave që monitorojnë lirinë e mediave, është përmendur emri i gazetës InfoPress si shembull i keq”, i thënë fillimisht Mirena, Hotit.

E Hoti tha se Gazeta InfoPress, të cilën ai e kishte menaxhuar, ka publikuar emrat e “mijëra UDB-ashëve” dhe u shpreh se ndihet krenar për këtë gjë.

“InfoPressi dihet që ka botuar me mijëra emra të UDB-ashëve me emra dhe mbiemra dhe kemi botuar dosje të tëra. Unë mendoj se e drejta e një medie duhet të jetë e tillë; duhet t’i lejohet medias të flas për të vërteta të tilla të dhimbshme”, u shpreh Hoti.

“Kurrë nuk e kam mohuar faktin se e kam ndërtuar InfoPressin për ta përkrahur krahun e luftës. Kam publikuar mijëra emra të UDB-ashëve dhe për këtë jam krenar”, deklaroi ai. /Insajderi.com