Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve të cilët nga e mërkura kanë hyrë në grevë, që t’i kthehen punës.
Hoti po ashtu është shprehur i gatshëm që t’i takojë për të “gjetur një zgjidhje të favorshme për këta operatorë”, njofton Insajderi.
“Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, kërkon nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, Zyra e Kryeministrit sqaron se, bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë së Kosovës.
“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (për shembull, pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50 për qind të qirasë, pagesa e 170 eurove). Pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset”, përfundon njoftimi.
Kujtojmë se, Shoqata e Transportit të Udhëtarëve (SHTU) ka bërë të ditur se nga sot (e mërkurë) nuk do të ketë transport të udhëtarëve në të gjithë vendin deri në përmbushjen e kushteve të marrëveshje të nënshkruar nga ana e Qeverisë së Kosovës./Insajderi.com