Hoti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke

Hoti i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Nuk ka marrëveshje pa njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë, pa njohje reciproke, njofton Insajderi.

Në një postim në Facebook, Hoti është shprehur se Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve të mbyllet përmes dialogut.

“Nuk ka marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke. Kosova mbetet e përkushtuar që të gjitha çështjet e hapura me Serbinë të përmbyllen përmes dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së”, ka shkruar i pari i ekzekutivit.

Tutje, ai ka thënë se deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa është në këtë pozitë, nuk i kontribuon dialogut.

“Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut. Dialogu ka rifilluar mbi parime të qarta për marrëveshje përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, dhe nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Nëse nuk do të ketë njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje. Kosova do të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Hoti./Insajderi.com