Hoti: Janë bërë përafrime në draftimin e marrëveshjes finale

Hoti: Janë bërë përafrime në draftimin e marrëveshjes finale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale, që sipas tij duhet të jetë ligjërisht e obligueshme, njofton Insajderi.

Këtë deklaratë Hoti e bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Bruksel, ku ka thënë se do të vazhdojë të vlejë parimi se për asgjë nuk do të dakordohet, derisa të dakordohet për marrëveshjen finale, që duhet të sjellë edhe njohjen reciproke mes vendeve.

“Në përputhje me zotimet që kemi marrë nga Samiti i Parisit para kancelares Merkel dhe presidentit Macron, për të hyrë në proces të dialogut, sot është mbajtur takimi i dytë i nivelit të lartë me palën serbe për të punuar për marrëveshjen finale, të përgjithshme, ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që duhet të dërgojë te njohja reciproke. Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, që jemi të gatshëm të lëvizin para. Dëshiroj të falënderoj zotin Borrel e zotin Lajçak dhe punën e dy ekipeve tona në përafrimin e qëndrimeve. Unë me kënaqësi e them që është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale në mes të dy shteteve për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Do të vazhdojmë në takime tjera me tema tjera që duhet të adresohen, çdo që e diskutojmë është pjesë e marrëveshjes finale duke vlejtur gjithmonë parimi që ne nuk dakordohemi asgjë, derisa nuk dakordohemi për marrëveshjen finale”, ka thënë Hoti para gazetarëve në Bruksel./Insajderi.com