Hoti: Jemi ndër vendet e para që e kemi menaxhuar më së miri situatën me pandeminë

Hoti: Jemi ndër vendet e para që e kemi menaxhuar më së miri situatën me pandeminë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur për masat e reja që mund të merren për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, ka deklaruar se Kosova është në mesin e vendeve që e kanë menaxhuar më së miri situatën, njofton Insajderi.

Sipas tij, masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë ndikuar në rënien e numrit të të infektuarve.

“Raportet deri më tash janë vërtetë pozitive. Masat e ndërmarra më herët kanë ndikuar dhe numri ka rënë nën 200, nga 700 raste sa kemi pasur brenda 24 orëve. Në bazë të informacioneve që kemi pasur nga Institutiti Kombëtar bëhet e ditur se ne jemi në mesin e tri-katër vendeve që më së miri e kemi menaxhuar situatën me COVID-19”, tha Hoti gjatë mbledhjes së qeverisë e cila u mbajt sot (e hënë).

Tutje, kryeministri shtoi se do të kujdesen që t’i ndërmarrin masat e duhura për mbrojte nga ky virus, duke krijuar njëkohësisht kushte të volitshme për bizneset si dhe për lëvizjen e qytetarëve.

“Dhe duhet të sigurohemi se tani kur kemi fluks të madh të qytetarëve për festa t’u krijojmë atyre kushtet që të kënaqen me familjet e tyre dhe të marrim masa për t’i mbrojtur qytetarët e bashkatdhetarë”, tha Hoti./Insajderi.com