Hoti: Jemi të përkushtuar në kryerjen e detyrave deri në krijimin e Qeverisë së re

Hoti: Jemi të përkushtuar në kryerjen e detyrave deri në krijimin e Qeverisë së re

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, me të cilin ka biseduar rreth aktualitetit politik dhe ekonomik në vend, luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe agjendën e integrimit, përkatësisht reformës evropiane, njofton Insajderi.

Hoti tha se Qeveria në detyrë është e përkushtuar që t’i kryejë detyrat deri në krijimin e Qeverisë së re.

“Kryeministri Hoti, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë në detyrë që me përgjegjësi të plotë t’i kryej të gjitha obligimet, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, deri në krijimin e Qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

“Kryeministri Hoti me ambasadorin Szunyog ka biseduar edhe për masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid 19, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë ekonomik, duke e falënderuar BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës. Kryeministri Hoti ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë në detyrë, që të vazhdojë me agjendën e reformës evropiane dhe në të njëjtën kohë të mirëmbaj kriteret e plotësuara tashmë, për liberalizimin e vizave, me qëllim që edhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në vendet anëtare të BE-së”, bëhet e ditur tutje. /Insajderi.com