Hoti ka pesë vërejtje për Kurtin lidhur me dialogun

Hoti ka pesë vërejtje për Kurtin lidhur me dialogun

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përmendur pesë kritika për kryeministrin aktual, Albin Kurti, sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.

Sipas Hotit, kërkimfalja nga pala serbe para se të nisë dialogu është harruar, përcjell Insajderi.

Hoti tutje është shprehur se raportimi për dialog në Kuvendin e Kosovës nuk është bërë siç kërkohet me rezolutën.

“Raportim për dialog në Kuvend nuk është bërë siç kërkohet me rezolutën e propozuar nga vetë ata që tani po dialogojnë, e cila rezolutë thotë se “Kryeministri duhet të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel”.

Platformë për dialog nuk është prezantuar në Kuvend, ku do të përcaktoheshin parimet dhe objektivat e dialogut. Në vend të kësaj, janë prezantuar katër pika në një konferencë për medie në Bruksel, të cilat në fakt e ruajnë “status quo” sa i përket marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për të cilën gjë është e interesuar pala serbe. Kërkim falja nga pala serbe para se të nisë dialogu është harruar”.

Ndër të tjera, ish-shefi i qeverisë ka thënë se kushtëzimi i dialogut me zbardhjen e fatit të të pagjeturve është harruar.

E po ashtu, sipas tij, masat e reciprocitetit, “që ishin çështje javësh pas formimit të qeverisë, janë harruar”.

Pak minuta më parë ka nisur në Bruksel takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ku janë takuar kryeministri, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiq është duke u zhvilluar në prani të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak./Insajderi.com