Hoti: Ka shumë punë për barazinë gjinore

Hoti: Ka shumë punë për barazinë gjinore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, me temën “Fuqizimi ekonomik si parakusht i parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”.

Hoti ka thënë se “ka shumë punë që të promovohet barazia gjinore”.

“Besoj që si shoqëri kemi avancuar mjaftë në promovimin dhe vetëdijesimin e nevojës për barazi gjinore. Gjendja në terren, në familjet tona, në shoqëri, në firma, punësim, gjithkund nëpër shoqëri nuk e reflekton ndoshta këtë vetëdijesim shoqëror për nevojën që e kemi që të promovojmë maksimalisht barazinë gjinore, sepse paraqitjet e akteve të dhunës ndaj grave në familje, në shoqëri, diskriminimi në punësim e të tjera, është reflektim që ende ka shumë punë për të bërë për të promovuar barazinë gjinore”, shkroi Hoti në Facebook.

Kryeministri po ashtu tha se në kuadër të Rimëkëmbjes Ekonomike do të ketë pako të veçantë për bizneset e grave.

“Është fakt që pandemia i ka prekur ndryshe gratë e ndryshe burrat, sepse vendet e punës që mbajnë gratë janë vende pune që janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve që mund të ndodhin në ekonomi në faza siç është kjo tash e pandemisë. Kjo neve na ka shtyrë që në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç mbështetjes që marrin të gjitha bizneset pavarësisht a janë me pronarë gra apo burra, të kemi edhe një pako të veçantë për mbështetjen e grave në biznes edhe në shoqëri në përgjithësi”, përfundoi Hoti. /Insajderi.com