Hoti: Kandidati për kryeministër caktohet nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale

Hoti: Kandidati për kryeministër caktohet nga LDK-ja, jo nga studiot apo rrjetet sociale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherit kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se kandidati për kryeministër nga LDK-ja caktohet nga partia dhe jo në studio televizive apo rrjete sociale, njofton Insajderi.

Sipas tij, LDK-ja nuk është vetëm parti, por edhe shkollë e të menduarit politik.

“LDK-ja i ka mbijetuar kohës së represionit serb, duke organizuar institucionet e Republikës së Kosovës.  LDK-ja i ka mbijetuar një gare të egër politike në vitet e pasluftës, kur zyrtarët e saj janë vrarë, por e ka ruajtur kursin e zhvillimit demokratik të Kosovës”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ai është shprehur se ky subjekt politik në zgjedhjet që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm do të përballet me një sfidë “për të mos e lënë shtetin e Kosovës të rrëshqasë drejt autokracisë, izolimit dhe regresit”.

“LDK-ja nuk është perfekte, por është vlerë për Kosovën. Dhe do ta fitojë edhe këtë sfidë, jo për veten e saj, por për Kosovën.  Është obligim i LDK-së që gjeneratat e reja të zhvillohen duke u mësuar me tolerancën dhe demokracinë, me vlera njerëzore dhe evropiane, e jo me antivlera, militantizëm, dhunë dhe autokraci”, ka shkruar tutje Hoti./Insajderi.com