Hoti: Kërkim falja e Serbisë për krimet në luftë – kusht për të ecur përpara

Hoti: Kërkim falja e Serbisë për krimet në luftë – kusht për të ecur përpara

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është deklaruar rreth viktimave të luftës së fundit në Kosovë, për çka thotë se pret nga Serbia që të kërkoj falje për të gjitha krimet e kryera, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, ai shton se kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara drejt pajtimit dhe mirëkuptimit në mes dy shteteve.

““Ne presim nga fqinji ynë verior, Serbia, të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e kryer, të kërkojë falje për djegien e kufomave të civilëve shqiptarë, për varrosjen dhe zhvarrosjen e disahershme të tyre. Përveçse një akt moral, kërkim falja është edhe kusht elementar human për të ecur përpara kah pajtimi dhe mirëkuptimi në mes dy shteteve tona”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka thënë se si rrallëkush në historinë e vonshme të Evropës, Kosova vazhdon të ballafaqohet me plagën e madhe të të zhdukurve.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, i nderojmë me pietet të gjithë civilët e pafajshëm, kudo në botë. Qindra familje tona ende presim me ankth ndonjë lajm për fatin e më të dashurve të tyre, të cilët u tretën pa shenjë gjatë krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, më 1998-’99”.

“Bota e di çfarë ka ndodhur këtu; e di mirë kush ka qenë agresori, e kush viktima! Me gjithë pengesat e mëdha, dëshmitë e këtyre krimeve të kryera në zemër të Evropës, vazhdojnë të dalin në dritë! Prandaj, pohojmë fuqishëm se provat e çmendisë serbe në Kosovë nuk mund të zhbëhen, sepse ato janë parë dhe janë evidentuar nga mbarë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Hoti. /Insajderi.com