Hoti kërkon të raportojë në Kuvend për marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Uashington

Hoti kërkon të raportojë në Kuvend për marrëveshjen Kosovë-Serbi të nënshkruar në Uashington

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që t’i mundësohen në njërën nga seancat e ardhshme, të raportojë në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, njofton Insajderi.

Me anë të një letre drejtuar kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, Hoti ka kërkuar të raportojë para të zgjedhurve të popullit për këtë hap të cilin e quan shumë të rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve.

Letra e plotë:

E nderuara Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit,

Më 4 shtator 2020, në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një Marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve.

Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi. /Insajderi.com