Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes kompakte për Kosovën, njofton Insajderi.
Sipas tij, MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra e tij dhe nga të gjitha ministritë përkatëse.
“Në letrën që kam pranuar nga z. Sean Cairncross, kryeshef ekzekutiv në MCC, thuhet se ky vendim vjen si njohje e partneritetit tonë të fuqishëm dhe angazhimit të qëndrueshëm që Kosova ka bërë në fuqizimin e institucioneve demokratike, duke mbajtur politika të shëndosha ekonomike dhe duke investuar në qytetarët e sajë”, thuhet në njoftimin e Hotit.
Tutje në njoftimin e Hotit në Faceboook, thuhet se “Bordi i MCC-së ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe punën e zellshme për të zbatuar me sukses programin e pragut të Kosovës”.
“MCC-ja vlerëson edhe formimin e Ekipit të Veprimit, për zhvillimin e sektorit të gazit i cili vazhdon të ketë burimet dhe vëmendjen e nevojshme nga zyra ime dhe nga të gjitha ministritë përkatëse”.
“Jam shumë i lumtur për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe pres thellimin e partneritetit për të jetësuar një program ambicioz inovativ dhe transformues në Kosovë”./Insajderi.com