Hoti: ‘Kosova A’ do të dekomisionohet, ‘Kosova B’ do të riparohet

Hoti: ‘Kosova A’ do të dekomisionohet, ‘Kosova B’ do të riparohet

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti ka vizituar sot Korporatën Energjetike të Kosovës. Hoti, ka thënë se programi i tij në fushën e energjisë parasheh dekomisionimin e termocentralit Kosova A, riparimin rrënjësor të Kosovës B dhe ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.

“Reforma që është arritur në prodhimin e energjisë elektrike ka qenë mjaftë pozitive. Programi ynë parasheh dekomisionimin e Kosovës A, rikonstruimin e Kosovës B dhe ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se një nga detyrat me më prioritet në sektorin e energjisë dhe mjedisit do të jetë zhvillimi  përmirësimi i mekanizmave të nevojshëm rregullator dhe operacional për arritjen e cakut prej 25% të pjesëmarrjes së energjisë nga burimet e ripërtërishme deri vitin 2020.

“Do të veprohet në nxitjen e mëtejme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në pajtim me potencialin, obligimin dhe nevojat, si dhe karshi zhvillimeve dhe përvojës evropiane. Do të përcaktohen modalitetet e investimeve për realizimin e rehabilitimit. Rehabilitimi i TC Kosova B do të bëhet pas hyrjes në operim të TC Kosova e Re”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se dekomisionimi i TC Kosova A, ose pjesëve të saj, do të bëhet pas studimit të alternativave të reja të gjenerimit plotësues, të kërkesave në tregun e energjisë elektrike dhe pasi të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit Kosova C.