Hoti: LDK ka hequr fjalën korrupsion nga diskursi në Kosovë

Hoti: LDK ka hequr fjalën korrupsion nga diskursi në Kosovë

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se synojnë që të vazhdojnë të qeverisin sikur që kanë bërë në shtatë muajt e fundit.

“Në shtatë muaj kemi mobilizuar 700 milionë euro për ekonomi dhe qytetarë. E kemi nxjerr ekonominë nga kriza e pandemisë. Me politikat tona edhe në kohë pandemie janë rritur eksportet e Kosovës për 25 përqind”.

“Kemi qeverisur me integritet dhe maturi. Ëndrra jonë 30 vjeçare është bërë realitet. Vajzat dhe djemtë e Kosovës janë bërë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqësore. Kam nënshkruar marrëveshjen historike që vendin tonë e kthen në nyje gjeopolitike në rajon. Kjo marrëveshje ]e 4 shtatorit në Uashingtoni na e siguroi njohjen nga Izraeli duke thyer bllokadën trevjeçare të mosnjohjeve”.

Hoti gjatë prezantimit të programit qeverisës të LDK-së ka folur për kundërshtarët politikë,

“Janë të njëjtit njerëz që kanë heshtur dhe kanë qenë kundër në çdo fazë të shtetndërtimit të Kosovës, që kanë kundërshtuar politikën paqësore të Ibrahim Rugovës, që bënin thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e Serbisë në vitet ‘90 dhe kanë qenë kundër Rambujesë”.

“Për shtetin ligjor, qeveria e udhëhequr nga LDK, tashmë ka hequr fjalën korrupsion nga diskursi në Kosovë. S’kemi pas asnjë aferë. Do ta forcojmë sundimin e ligjit përmes Vetingut në drejtësi”.

“Rivalët tanë po luftojnë për lavdi personale. LDK shtëpia jonë e madhe ju fton që me 14 shkurt të dilni masivisht në zgjedhje dhe të votoni”./Insajderi.com