Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka liruar nga detyra tashmë ish-ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla. Kjo e fundit, përmes një letre, i ka ofruar Hotit dorëheqjen e nga kjo pozitë të martën.
Emërimi i shefit të ri të diplomacisë kosovare pritet të bëhet disa orë më vonë.
Kështu ka bërë të ditur për Insajderi-n Zyrtarja për Informim në Qeverinë Hoti, Antigona Baxhaku.
Dorëheqja e saj vjen pasi bashkëpartiakja e saj, Florentina Gjergjaj, e kishte akuzuar se ia kishte vjedhur votat. Madje në media kishte qarkulluar edhe një video-incizim ku pretendohet se bashkëshorti i ish-ministres, Dardan Stublla, ia ka blerë votat asaj në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas kryediplomates, kjo është bërë nga persona me qëllime të pista.
“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të pamundësisë morale që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë mveshur pamëshirshëm mua dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, paraqet shkak-pasojën e këtij vendimi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook, teksa ka njoftuar për vendimin për dorëheqje./Insajderi.com