Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit s’parashihte moratorium për njohje të reja

Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, nuk parashihte moratorium për njohje të reja, por për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili më 4 shtator 2020, ka nënshkruar marrëveshjen ekonomike me Serbinë të cilën e kishte ndërmjetësuar, Donald Trump duke qenë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po e sqaroj se marrëveshja nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium përfundon sot. Ky moratorium është kritikuar nga disa individë të cilët nuk e kanë idenë se si i ka realizuar Kosova anëtarësimet në organizata ndërkombëtare deri më tani”, është shprehur Hoti për Klan Kosovën.

Në njëvjetorin e kësaj ngjarjeje, ka thënë se nuk mund të shkohet asnjë rruge tjetër përveç asaj të respektimit të marrëveshjes, e cila kontestohet nga Qeveria Kurti.

“Kundërshtimi i kësaj marrëveshje nuk është në interesin e Kosovës. Ata që e kundërshtojnë janë kundër integrimit perëndimor të Kosovës, të cilën gjë e do Serbia”.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë para disa ditësh se disa pika të asaj marrëveshje janë problematike për Kosovën, pasi prekin rendin kushtetues.

Në prag të skadimit të marrëveshjes, Departamenti Amerikan i Shtetit ka inkurajuar palët që ta vazhdojnë moratoriumin që ia ndalon Kosovës aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbisë fushatën për anulimin e njohjeve të Kosovës. /Insajderi.com