Hoti mirëpret propozimin e Grenell që Ujmani të quhet Liqeni Trump

Hoti mirëpret propozimin e Grenell që Ujmani të quhet Liqeni Trump

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ka mirëpritur propozimin e ambasadorit amerikan, Richard Grenell, që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni Trump, njofton Insajderi.

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arrijen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka thënë Hoti.

Me anë të një postimi në Facebook, Hoti më tej ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë gjithmonë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat ka miqësi speciale dhe të përhershme.

“Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj”, ka thënë tutje ai. /Insajderi.com