Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi të enjten se ndriçimi i fatit të të pagjeturve është prioritet i punës së qeverisë dhe njëra ndër temat kryesore në procesin e dialogut me Serbinë, njofton Insajderi.
Këtë deklaratë Hoti e bëri pas takimit që ka zhvilluar me ekipin e ekspertëve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Republikës së Kosovës, i cili ishte i angazhuar në gërmimet vlerësuese gjatë javëve të fundit në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.
“Kryeministri Hoti i falënderoi ata për angazhimin e palodhshëm dhe profesional në ndriçimin e fatit të të pagjeturve gjatë gërmimeve në lokacione të ndryshme në Serbi por edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje, në njoftim bëhet e ditur se Hoti ofroi mbështetjen e qeverisë për punën e ekspertëve mjeko-ligjor dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur./Insajderi.com