Brukseli, para Uashingtonit

Hoti në Bruksel: Do flitet për vizat

Kryeministri i Kosovës ka agjendë të ngjeshur javën e ardhshme. Takime në Bruksel, e nga aty drejt e në Uashington.

Hoti në Bruksel: Do flitet për vizat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Bruksel, dy ditë para se të niset për në Uashington, njofton Insajderi.

Hoti, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka deklaruar se në Bruksel do të diskutohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë”, shkruan Hoti.

Takimet e kryeministrit të gjitha do të jenë me personalitetet më të larta të Bashkimit Evropian.

Ai do të takohet me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Nga Brukseli, kryeministri direkt udhëton për Washington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë thotë se “nisim dialogun për njohje reciproke, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik”.