Hoti në ditën e parë të mësimit kërkon kujdes maksimal nga nxënësit e mësimdhënësit

Hoti në ditën e parë të mësimit kërkon kujdes maksimal nga nxënësit e mësimdhënësit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ishte i pranishëm në një ceremoni ku është përuruar shkolla fillore e mesme e ulët “Haradin Bajrami” në fshatin Magur të Lipjanit, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/2021, njofton Insajderi.

I shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ish-ministri i MASH-it, Arsim Bajrami, Hoti kërkoi nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit kujdes maksimal.

Ai tha se mësimi në banka është i pazëvendësueshëm, prandaj apeloi për respektim të masave anti-Covid.

“Unë shfrytëzoj rastin që në ditën e parë të mësimit të vitit të ri shkollor që t’iu kërkoj të gjithë nxënësve arsimtarëve, prindërve kujdes maksimal. Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve bashkë me ministrin e Arsimit, Shëndetësisë që të krijojmë kushtet e nevojshme në mënyrë që të krijojmë kushte që nxënësit të mos mbesin prapa. Mësimi nuk merret askund sikur në bankat shkollore, por po ashtu jemi të rrezikuar me këtë situatë që po përballemi dhe bashkë mund t’ia dalim kësaj situate… besoj që kjo shkollë më shumë se çdo tjetër me 3 mijë e diçka metra me kabinetet i plotëson kushtet”, tha Hoti.

Fillimi i këtij viti shkollor është ndarë në dy faza. Klasat 1,2,3,6 dhe 10 kanë nisur sot mësimin, kurse klasat e katërta dhe pesta u është lënë drejtorive komunale të arsimit të vendosin se në çfarë metode do e vazhdojnë mësimin. E faza e dytë e mësimit do të nis me 21 shtator përkatësisht nxënësit e klasave 7,8,9,11 dhe 12.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se tashmë ka ndarë mbi gjysmë milionë maska. /Insajderi.com