Hoti në përvjetorin e ushtrisë: FSK-ja në NATO është synimi ynë

Hoti në përvjetorin e ushtrisë: FSK-ja në NATO është synimi ynë

Me rastin e dyvjetorit të formimit të Ushtrisë së Kosovës, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, tha se integrimi i Forcës së Sigurisë në NATO është synimi kryesor, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti i ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e kësaj dite historike, ndërsa i ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së për “të arriturat e vazhdueshme”.

“Angazhimi dhe përkushtimi i djemve dhe vajzave tona në FSK është për çdo lëvdatë, ndërsa ndihma e miqve tanë në ngritjen e kapaciteteve të tyre ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme, për çka u jemi falënderues përherë”.

“FSK-ja në NATO është synimi ynë. Me profesionalizimin e tyre vajzat dhe djemtë e Kosovës do të japin kontribut të çmuar për paqe në rajon dhe në botë”, ka shkruar ndër të tjera i pari i ekzekutivit.

Kuvendi i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, dy vjet më parë miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi që ata ishin kundër formimit të ushtrisë./Insajderi.com