Hoti në Shkup: Prishtina të lidhet me gaz nga Shkupi

Hoti në Shkup: Prishtina të lidhet me gaz nga Shkupi

Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, deklaroi se në takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kanë rënë dakord që dy vendet të lëvizin para në realizimin e projekteve që janë në interes të të dyja vendeve.

“E mirëpres shumë idenë që të shkojmë drejt ndërtimit të pikës së përbashkët të kalimit kufitar, one stop shop, pastaj lidhjen e Prishtinës me gazin këtu në Shkup, me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtarë që do ta transformojë komplet regjionin dhe më gjërë sa i përket furnizimit me energji dhe stabilitetit të mbarë regjionit”, ka thënë ai.

“Më vjen mirë që dëgjoj se keni avancuar me procedurat sa i përket ndërtimit të autostradës nga Shkupi në kufi. Ne e kemi përfunduar pjesën tonë dhe besoj që duke avancuar edhe me ndërtimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar ne e lidhim Prishtinën me Shkupin në më pak se një orë realisht të lëvizjes”, ka shtuar kryeministri kosovar.

“Gjithashtu më vjen mirë që ka gatishmëri të plotë nga ana juaj që të shqyrtojmë mundësinë e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e autostradës Tetovë-Prizren, sigurisht specifikat që ka regjioni atje, por duhet ti marrim parasysh ato”, ka deklaruar Hoti. /Insajderi.com