Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur rreth takimit që pritet të mbahet në Bruksel me palën serbe, për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare, njofton Insajderi.
Në deklaratën e tij, Hoti ka përmendur se pjesë e bisedimeve të kësaj marrëveshje finale, do të jetë edhe njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se marrëveshja “arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke”.
“Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”, ka shkruar tutje Hoti. /Insajderi.com