S’përjashtohet mbyllja totale

S’përjashtohet mbyllja totale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, njofton Insajderi.

Në një intervistë për REL, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.

Hoti ka shtuar se me ritmet aktuale të shtimit të numrit të të prekurve me COVID-19, kapacitete spitalore e kanë të pamundur t’u dalin në ndihmë të gjithëve.

“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”, ka thënë ai.

Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primare është “ruajtja e shëndetit publik”.

“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi”, ka thënë Hoti.

Po ashtu kundërshtoi thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, pas nisjes së procesit gjyqësor ndaj figurave të larta të UÇK-së.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.

Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera./Insajderi.com