Hoti: Pas një-dy jave dal me ofertën e re programore

LDK-ja ka vendosur. Avdullah Hoti do jetë kandidati i tyre për kryeministër. Vetë Hoti e ka vlerësuar besimin e partisë. Ka thënë se qeverisja e tij deri tani u ka treguar njerëzve se sa mirë qeverisë LDK-ja. Hoti ka pohuar po ashtu se pas pak ditësh e prezanton ekipin dhe programin e ri.

Hoti: Pas një-dy jave dal me ofertën e re programore

Avdullah Hoti, kryeministri aktual nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do të jetë përsëri kandidat i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, që pritet të mbahen në fillim të muajit shkurt të vitit 2021, njofton Insajderi.

Hoti, në një konferencë për media bashkë me kryetarin e partisë, Isa Mustafa, ku edhe u prezantua kandidatura e tij, ka thënë se shumë shpejt vjen para qytetarëve me programin e ri.

“Tash ne do të ndërtojmë ekipet me njerëzit më të mirë, për të treguar se si do të vazhdojmë të qeverisim tutje. Besoj kemi dhënë evidencë të fortë gjatë këtyre muajve. Unë brenda një jave-dy dal me ofertën e re programore dhe ekipin”, ka thënë Hoti.

“Unë do jem në çdo studio, para çdo qytetari, biznesi e grupi që ka nevojë për t’u informuar”, shtoi ai.

Hoti ka falënderuar partinë e tij për besimin që përsëri po ia japin.

“Kemi mbajtur diskutime me degë, disa herë në kryesi me nënkryetarë të partisë dhe me struktura, për ta vlerësuar situatën dhe punën e qeverisë.  Unë jam tepër i kënaqur për vlerësimin që i ka bërë LDK qeverisë. Unë jam mirënjohës për besimin që e kam marr nga kryesia që të vazhdoj më tutje dhe të jem kandidat i LDK-së në këto zgjedhje”./Insajderi.com