Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka komentuar vendimin e qeveris Hoti, për shfuqizimin e task-forcës që merrej me luftimin e korrupsionit në vend, duke thënë se ai nuk ishte në koordinim me Ministrinë e Drejtësise dhe atë të Punëve të Brendshme.
“Adresimi i tij në ditën kur u shfuqizua task-forca, ishte një ndër adresimet më amatoreske. Ai e luajti një rol të një aktori të dështuar, u mundua të bëjë lëvizje për të treguar pse duhet të shuhet kjo task-forcë. Në njërën anë ministri i Drejtësisë i tregoi se nuk mund të shuhet sepse me rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, i cili pritet të përfundojë në dhjetor me një strategji për tri vitet e ardhshme ku janë përcaktuar edhe rekomandimet dhe është bërë një analizë substanciale e kësaj Task-force, ku në bazë të këtij rishikimi thuhet se kësaj task-force t’i ngritet integriteti, përformanca, efikasiteti dhe në anën tjetër, i njëjti kryeministër kërkoi të ketë koordinim mes ministrit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme se çka do të ndodhë me këtë task-forcë”, tha Miftaraj, në Interaktiv, transmeton Insajderi.
Ai ka shtuar se ky shfuqizim tregoi se kryeministri Hoti pati një zor të madh, ndërsa potencoi se këtë javë kanë pasur të ndodhin dy arrestime.
“Kjo tregoi se Hoti ka pasur një zor jashtëzakonisht të madh për ta shfuqizuar task-forcën dhe në bazë të asaj qe e kemi ne si IKD, këtë javë kanë pasur për t’u arrestuar dy ministra, një nga LDK që është Lutfi Zharku dhe një nga AAK që është Pal Lekaj. Arrestimet kanë të bëjnë kryesisht me rastet që i ka kjo task-forcë dhe në bazë të asaj që kjo ka një numër jashtëzakonisht të madh të rasteve që kapin vlera qindra dhe miliona euro”, ka thënë tutje drejtori i IKD-së.
Miftaraj tutje ka thënë se qeveria aktuale dhe të gjitha partitë që kanë qenë deri më tani në qeverisje, e kontrollojnë pothuajse në mënyrë totale Prokurorinë e shtetit dhe e vetmja hallkë që kishte mbetur, ishte kjo task-forcë, tashmë e shfuqizuar./Insajderi.com.