Hoti: Pensionet e veteranëve u siguruan vetëm kur LDK e drejtoi Qeverinë

Hoti: Pensionet e veteranëve u siguruan vetëm kur LDK e drejtoi Qeverinë

Kandidati i koalicionit LDK-AKR-Aletrnativa për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë të hënën në Drenas se vlerat e luftës nuk duhet të përdoren vetëm për të ardhur në pushtet.

“Vlerat e luftës çlirimtare që janë krijuar këtu në Drenicë ata i njohin vetëm për të marrë pushtet prej votave tuaja. Ne i kemi çmuar dhe do t’i çmojmë gjithmonë këto vlera. Vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës e mori drejtimin e qeverisë, u siguruan pensionet për veteranët e luftës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka potencuar se Drenica, ashtu sikurse krejt Kosova, ka nevojë për një qeverisje të mirë e me duar të pastra, për një qeverisje që nuk shantazhon dhe nuk shantazhohet.

“Kosova ka nevojë për frymëmarrje të lirë. Që të zhvillohet ekonomikisht, të krijojë perspektivë për rininë e saj të mrekullueshme dhe të bëhet vend me të cilin krenohen qytetarët e saj dhe miqtë euro-atlantikë të saj.  Drenica do ta ketë vëmendjen e veçantë të qeverisë që unë do ta drejtoj. Përmes Ligjit për Investime Strategjike, në Drenicë do të sjellim investitorë seriozë, që do të krijojnë vende pune e mirëqenie për familjet tuaja”, ka pohuar Hoti.

Ai është zotuar se rinisë së Drenicës do t’ia kthejmë shpresën. “Sapo t’i kryejnë studimet, ne do t’u garantojmë 1 vjet përvojë pune me pagesë. Ata pastaj do të jenë kuadrot që do të punojnë nëpër bizneset që do të hapen përmes investimeve të shqiptarëve apo investimeve të huaja”, ka deklaruar Hoti.