Hoti për 100 ditë qeverisje: Asnjë aferë korruptive, për menaxhimin e pandemisë jemi sharë e sot jemi shembull

Hoti për 100 ditë qeverisje: Asnjë aferë korruptive, për menaxhimin e pandemisë jemi sharë e sot jemi shembull

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e sotme në Kuvend, ku është ftuar për të raportuar për punën e 100-ditëshit të parë të qeverisjes së tij, ka thënë se gjatë kësaj periudhe me prioritet kanë punuar në luftën kundër pandemisë COVID-19, njofton Insajderi.

Ai tutje është shprehur se gjatë kësaj koje nuk kanë pasur asnjë rast të aferës korruptive.

“Kemi rritur për 24 milionë euro buxhetin për bujqësi, 10 milionë euro për arsim, 10 milionë euro për komunat, 2 milionë për zhvillim rajonal dhe çështje të tjera. Në muajt në vazhdim do të marrin edhe vendime të tjera për të shpërndarë këtë fond dhe për të ndihmuar në ekonominë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që pandemia ka ndryshuar gjithë parashikimin që kemi pasur në fillim të vitit. Jemi të vendosur për rendin dhe ligjin, mbetet prioritet i përhershëm. Gjatë këtyre 100 ditëve kemi pasur 0 afera korruptive”, theksoi Hoti, duke shtuar se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Qeverinë që ai e drejton do të jetë i pakompromis.

Hoti tutje ka thënë se kanë bërë punë të mirë në menaxhimin e pandemisë, duke shtuar edhe numrin e personelit shëndetësorë.

“Lidhur me menaxhimin e pandemisë jemi sharë edhe në këtë Kuvend, por sot jemi ndër shtetet që menaxhojmë këtë situatë më mirë. Ata që kanë shtrembëruar  të dhënat e numrit e të infektuarave duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë kryeministri. /Insajderi.com